Barcelona edhe një herë arriti të ruajë portën e paprekur ndaj Atletikos së Madridit. Historikisht, katalanasit nuk kanë qenë një skuadër e orientuar drejt një mbrojtjeje të fortë, por situata ka ndryshuar këtë sezon.
Skuadra e Ksavi Hernandezit, e cila tashmë është fare pranë titullit kampion në Spanjë, e ka ndërtuar suksesin e këtij sezoni nga prapavija. Ka qenë mbrojtja baza me të cilin trajneri ka ndërtuar ekipin e tij që pritet të triumfojë këtë sezon në La Liga. Katalanasit kanë arritur ta ruajnë portën e paprekur në 23 nga 30 ndeshjet që kanë luajtur në kampionat, një shifër që tregon shumë se sa e vështirë është të shënosh kundër tyre këtë sezon. Sigurisht, rekordi është ende larg.
Ky ishte numri i ndeshjeve që Klaudio Bravo nuk pësoi në një sezon të tërë. Me këtë panoramë, një pyetje nis të duket më pak e largët, çdo javë që kalon. A do të arrijë kjo Barcelonë të ketë mbrojtjen më të mirë të të gjitha kohërave?
Nëse vërtetojmë se mënyra më e mirë për të peshuar diçka të tillë është numri i golave të pësuar, vetëm 9, nuk është marrëzi ta vendosim Barcelonën ndër ekipet më të mira të historisë. Sipas këtij kriteri, mbrojtja më e mirë në ligat e mëdha europiane ishte ajo e Çelsit të Zhoze Murinjos, i cili e përfundoi Premier Ligën e sezonit 2004-‘05 me vetëm 15 gola të pësuar.
Me Çehun në portë dhe legjendat e mbrojtjes: Terri, Gallas, Karvajo apo Ferreira, blutë e Londrës shënuan një epokë në ligën angleze. Kështu që, duke e marrë këtë skuadër si referencë, Barça ka në duart e saj mundësinë të barazojë ose përmirësojë këtë rekord dhe si rrjedhojë të bëhet skuadra më e mirë mbrojtëse në histori. Për këtë, ajo duhet të pësojë vetëm gjashtë ose më pak gola në tetë ndeshjet që kanë mbetur për t’u luajtur.
Duke pasur parasysh se deri më sot ata kanë pësuar një gol çdo tri ndeshje mesatarisht, djemtë e Ksavit kanë të gjitha kredencialet për ta bërë këtë. Nëse po, linja e përbërë nga Ter Shtegen; Kunde, Arauho, Kristensen dhe Balde do të gdhendnin emrat e tyre në historinë e këtij sporti.
