Banka Botërore po parashikon se rritja ekonomike në Kosovë pritet të arrijë në 3,8 përqind në vitet 2025 dhe 2026.
Në nivel të brendshëm, vonesat në formimin e një qeverie të re mund të ndikojnë negativisht në investime dhe zbatimin e agjendës së reformës strukturore.
“Ekonomia e Kosovës vazhdoi performancën e saj të fortë, por Kosova duhet të gjenerojë burime shtesë për nevojat e saj në rritje për investime, duke përfshirë në fushat e energjisë, infrastrukturës, kapitalit njerëzor dhe lidhshmërisë”, tha Massimiliano Paolucci, menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut
Sipas raporti, përparimi i mëtejshëm në uljen e varfërisë do të varet nga aftësia për të rritur konkurrueshmërinë e sektorit privat dhe për të mbajtur ritme më të larta të rritjes ekonomike në të ardhmen.
“Një treg më i shtrënguar i punës mund të ndihmojë në rritjen e pagave, ndërsa politikat për të rritur cilësinë e arsimit dhe aftësitë e punëtorëve me arsim më të ulët mund të ofrojnë një nxitje shtesë. Rënia e popullsisë, pjesërisht për shkak të emigrimit, mund të kompensohet me rritjen e pjesëmarrjes së femrave në fuqinë punëtore, aktualisht e kufizuar nga faktorë të tillë si mungesa e shërbimeve të kujdesit për fëmijët. Zgjerimi i shërbimeve të kujdesit për fëmijët do të përmirësonte mundësitë për gratë në tregun e punës dhe do të rriste gatishmërinë e fëmijëve për shkollë përmes edukimit më të mirë në fëmijërinë e hershme, duke krijuar gjithashtu mundësi shtesë për punë”, thuhet në Raportin e Rregullt Ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, të publikuar sot.
