Prokuroria e Tiranës në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Postën Shqiptare, ka goditur një skemë të mirëorganizuar të trafikimit të kanabisit me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Shqipërisë, përmes pakove postare.
Gjatë muajit prill janë dokumentuar dhe goditur tetë raste të trafikimit në qytete të ndryshme si Tiranë, Shkodër, Fier, Elbasan dhe Vorë, duke sjellë në total sekuestrimin e 15.2 kilogramëve kanabis me përqindje të lartë të substancës aktive THC.
Sipas të dhënave zyrtare, hetimet e nisura në mënyrë proaktive kanë zbuluar një model të ri trafikimi përmes dërgesave postare, me autorë të dyshuar që përpiqeshin të shmangnin kontrollet doganore duke përdorur shërbimet postare për transportin e lëndës narkotike nga SHBA në Shqipëri.
Prokuroria e Tiranës bën të ditur se hetimi po shtrihet edhe më gjerë në përpjekje për të zbardhur të gjithë zinxhirin e përfshirjes në këtë veprimtari kriminale dhe për të parandaluar përsëritjen e kësaj metode të trafikut të drogës.
