Rreth 50 për qind e shpenzimeve të udhëtimit të qytetarëve të Kosovës u harxhuan në Shqipëri, thuhet në raportin e Bilancit të Pagesave të prezantuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).
Sipas BQK-së, shpenzimet e udhëtimit të kosovarëve jashtë vendit për muajin qershor janë rritur për 18 për qind.
“Shpenzimet e udhëtimit të kosovarëve jashtë vendit, gjatë muajin qershor kanë arritur vlerën e 58.9 milionë eurove që paraqet rritje prej 18 për qind, prej të cilave rreth 46 për qind janë shpenzimet në Shqipëri”, thekson BQK-ja, shkruan Telegrafi.
Për sa i përket shërbimeve, 90 për qind të shpenzimeve të udhëtimit është krijuar nga diaspora e Kosovës.
“Kategoria kryesore e shërbimeve janë shërbimet e udhëtimi. Vetëm gjatë muajit qershor në Kosovë shërbimet e udhëtimit kanë arritur vlerën 141.3 milionë euro, vitin e kaluar në këtë periudhë kanë qenë 132.3 milionë euro apo 7 për qind më të ulëta se këtë vit. Rreth 90 për qind e shpenzimeve të udhëtimit në Kosovë, përkatësisht 126.6 milionë euro janë shpenzimet e diasporës. Krahasuar me periudhën e njëjtë vitin e kaluar, diaspora këtë vit ka shpenzuar rreth 15 për qind më shumë”, thekson raporti.
Deficiti i bilancit tregtar deri më muajin qershor arriti në vlerën e 2.1 miliardë eurove, që është niveli më u lartë krahasuar me vitin paraprak, ndërsa shërbimet kanë shënuar bilanc pozitiv, me një rritje prej 36 për qind.
“Bilanci tregtar në mallra në kuadër të Bilancit të Pagesave, deri në qershor 2023, kishte deficit në vlerë prej 2.1 miliardë euro, që është deficit më i madh tregtar krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Shërbimet, deri në qershor 2023, kanë shënuar bilanc pozitiv në vlerë 553.2 milionë euro, që paraqet rritje prej 36 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022 apo 407.8 milionë euro”, vijon BQK-ja.
Institucioni më i lartë financiar në vend pohon se investimet e huaja direkte janë rritur për 14 për qind.
