Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në dëshminë e tij përpara Komitetit për Punë të Jashtme ka folur për shqetësimet e senatorit Bob Mendez rreth Asociacionit.
Escbar ka thënë se qëndrimi i SHBA-së është që Asociacioni është obligim ekzistues i Kosovës që e ka marrë në kuadër të procesit të dialogut të Brukselit.
Escobar thotë se Asociacionin e shohin si një rrugë përpara ku katër komunat (veriore), apo edhe komuna të tjerë mund të bashkohen për të ofruar shërbime komunale në gjuhën serbe për një pjesë të komunitetit.
“Ajo siç e shohim ne është, që Asociacioni është një rrugë përpara që katër komunat, apo edhe ndonjë tjetër komunë që dëshiron të bashkohet, që të jenë në gjendje të ofrojnë shërbime komunale në gjuhën serbe për një pjesë të komunitetit”, ka thënë Escobar.
Ai tutje ka thënë se duan ta shfrytëzojnë Asociacionin për të hequr veriun nga ndikimi i Beogradit dhe nga ajo çfarë Vuçiq po bën sot me këto komuna.
“Duam ta shfrytëzojmë Asociacionin që ta zhbëjmë atë që Serbia po e bën sot me veriun dhe që ta fusim brenda strukturës së Kosovës, që e kontrollon dhe që është nën ligjet e Kosovës”, ka thënë Escobar.
