Zëdhënësja politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, vlerëson se në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit duhet kujtuar kërcënimet e përditshme ndaj gazetarëve.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit të kujtojmë kërcënimet e çdoditshme ndaj gazetarëve që mbrojnë vlerat më thelbësore të demokracisë, shprehjen e lirë dhe mendimin kritik. Çdo përpjekje për të disiplinuar të vërtetën, për ta zëvendësuar atë me të vërtetën zyrtare të pushtetit politik është armiqësi e hapur me lirinë” ka thënë Halimi.
Ajo vlerëson se çdo secila përpjekje për të disiplinuar të vërtetën apo të zëvendësojë atë me të vërtetën zyrtare të pushtetit është armiqësi e hapur me lirinë.
Halimi, mes tjerash, ka përmendur edhe emërimin e Rilind Gërvallës në krye të Radio Televizionit të Kosovës.
Sipas saj, emërimi i një njeriu të partisë në pushtet në krye te televizionit publik e shpërfaqë përpjekjen për të vërtetat zyrtare duke shtypur ato alternative dhe me këtë rast duke shtypur edhe lirinë e shtypit.
“Emërimi në krye të transmetuesit publik (RTK) i një aktivisti nga partia në pushtet, e bënë transparente intencën e të vërtetave zyrtare, duke shtypur të vërtetat alternative dhe me këtë edhe lirinë e shtypit. E publiku detyrohet të paguaj këto të vërteta të fabrikuara!?”.
Tutje, ajo ka dënuar deklarimet e pushtetit që shprehin mosbesim ndaj gazetarëve.
“Deklaratat e pushtetit – që shprehin mosbesim ndaj gazetarëve – krijojnë ambient të përshtatshëm për dhunë ndaj gazetarëve dhe sulm ndaj medias si një nga shtyllat e demokracisë dhe qeverisjes së mirë. Ndaj, çdo gazetare e gazetar sot, është i vetëdijshëm për vështirësitë e kërcënimet, por duke qenë besnikë të profesionit vazhdojnë të palëkundur të hulumtojnë, të shkruajnë, të thonë e përhapin të vërtetat që pushtetet rëndom nuk i duan”.
“Gazetarët nuk e negociojnë lirinë e shprehjes, sepse nuk kanë lejuar që ta humbin. Pikërisht për këtë, mirënjohëse!”, ka shkruar ajo në Facebook.
