Deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një postimi në Facebook, ka folur në lidhje me vendimin për qeset plastike.
Ai tha që sado e rëndësishme që është kjo për ambientin, sipas tij, nuk është esencial në aspektin ekonomik dhe jetën e rënduar të qytetarëve.
“Është fundi i vitit 2023, që është viti i tretë i qeverisjes majtiste LVV-Guxo. Është koha kur do të duhej të promovoheshin projektet e kryera gjatë tri viteve në rrugë, në arsim e shëndetësi, në energjetikë e në ujitje të tokave bujqësore”.
“E kur mungojnë këto projekte, atëherë vetë Kryeministri promovon shpërndarjen e qeseve plastike nëpër dyqane, sado e rëndësishme që është kjo për ambientin, por nuk është esencial në aspektin ekonomik dhe jetën e rënduar të qytetarëve”, thuhet në postimin e tij.
Tutje, Hoti ka shkruar se kjo lloj qeverisje nuk sjell zhvillim.
“Tri vjet qeverisje pa asnjë orientim zhvillimor, me normë të zhvillimit ekonomik që gati ka rënë në zero. Tri vjet të qeverisjes vetëm duke shpërndarë subvencione e transfere, të cilat kanë shkuar nga 32% në mbi 42% të buxhetit total”.
“Tri vjet qeverisje me rënie të investimeve kapitale nga rreth 23% të buxhetit total sa ishin në qeveritë paraprake, në vetëm 15% të buxhetit total. Kjo lloj qeverisjeje vetëm zhvillim nuk sjell”, ka shkruar Hoti.
