Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, ministrin e Kulturës, Hajrullah Çeku dhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, mori pjesë në hapjen e edicionit të 23-të të Panairit të Librit, me moton “Libri Triumfon”, në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.
Mysafir i veçantë në hapjen e panairit ishte shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare, bashkë me bashkëshorten e tij, shkrimtaren Elena Kadare.
Duke folur për figurën e shkrimtarit Ismail Kadare, kryetari Konjufca tha se letërsisë shqipe ia siguroi një vend të pavdekshëm në atë që vetë e quan “letërsia universale”.
“Ismail Kadare gjithnjë ka qenë dhe është forcë gjigande e ngritjes së vetëdijes botërore për gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare. Ai për Kosovën bëri gjithçka që mund të bënte një intelektual i përmasave planetare. Kosovës i kushtoi edhe vepra dhe e kërkoi me ngulm lirinë tonë. Ishte zëri ynë kolektiv kudo që shkoi, në çdo intervistë, në çdo paraqitje, në secilin takim me figurat e rëndësishme politike të kohës”, tha Konjufca.
