Kosova me fushatë që synon parandalimin e murtajës afrikane të derrave

Kosova i është bashkuar Autoritetit Evropian të Sigurisë Ushqimore (EFSA) në fushatën mbarë-evropianë për të ndaluar murtajën afrikane të derrave (ASF).

Fushata “#StopASF” e cila ka nisur që katër vjet, po rritë ndërgjegjësimin e fermerëve, gjuetarëve dhe veterinerëve në 18 vende evropiane, duke përfshirë Kosovën, për këtë sëmundje shumë ngjitëse, duke i inkurajuar ata të ndërmarrin veprime për të ndaluar përhapjen e saj.

“Gjatë dekadës së fundit, murtaja afrikane e derrave ka pasur një ndikim dramatik në sektorin evropian të rritjes së derrave dhe vazhdon të prishë ekonomitë lokale dhe rajonale. Ndërsa shifrat e fundit tregojnë shenja inkurajuese se përpjekjet për të ndaluar përhapjen e virusit mund të kenë efekt, situata në të gjithë Evropën në përgjithësi nuk është aspak pozitive dhe ne duhet të qëndrojmë vigjilentë. Fermerët, gjuetarët dhe veterinerët kanë një rol veçanërisht të rëndësishëm për të luajtur në raportimin e rasteve të dyshimta”, tha Bernhard Url, Drejtori Ekzekutiv i EFSA-s.

Fushata inkurajon fermerët, veterinerët dhe gjuetarët që të identifikojnë, parandalojnë, raportojnë rastet e ASF-së te derrat dhe derrat e egër.