Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas dështimit të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, si pasojë e kundërshtimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të mbështetur rezolutën për mbështetjen urgjente financiare të Policisë, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Krasniqi ka kritikuar partinë në pushtet se e do Policinë vetëm për mburrje, por refuzon ta ndihmojë dhe forcojë.
Ai ka përmendur sulmin terrorist me të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, teksa tha se shumë shpejt u harrua sakrifica e policit që mbeti i vrarë, Afrim Bunjaku dhe kolegëve të tij.
Më tej lideri opozitar tha se PDK do të insistojë përmes të gjitha mënyrave dhe mekanizmave që kjo Rezolutë të miratohet.
“Sot, për herë të dytë brenda një jave, Lëvizja Vetëvendosje kundërshtoi Rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila, me miratimin e saj, do të ndihmonte shpejtë dhe konkretisht Policinë e Kosovës. Është e mjerueshme dhe për keqardhje kjo qasje e pushtetit ndaj policëve tanë. Shpejt e harruan sakrificën e Heroit Afrim Bunjaku dhe kolegëvë të tij, të cilët, çdo ditë e vënë jetën e tyre në rrezik për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe sovranitetin e shtetit tonë”, shkroi ai.
Pushteti e do policinë vetëm për mburrje – refuzon që ta ndihmojë e ta forcojë!Sot, për herë të dytë brenda një jave,…
