Ambasadori serb në Uashington, Marko Gjuriq, përmes një serie cicërimash në Twitter ka shkruar se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “po ndjek hapat e Sllobodan Millosheviqit”, koment këtë të cilin e bëri në kontekstin e zgjedhjeve në katër komunat veriore të populluara me shumicë serbe dhe pjesëmarrjen më se minimale të serbëve në to. “Është e çuditshme se si Kurti po ndjek hapat e Slobodan Millosheviqit. Neve na duhet një mendësi krejt tjetër nëse duam të presim që rezultati të jetë ndryshe”, ka shkruar ai.
Zgjedhjet në katër komunat veriore Gjuriq i quajti “tallje” dhe hapa të mbrapsht në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Asnjë nga shqetësimet legjitime e të bazuara në marrëveshje të serbëve nuk janë përmbushur. Pozicioni i tyre vazhdimisht është duke u përkeqësuar që një vit e gjysmë tashmë”, ka shkruar ai.
“Qeveria e Kurtit është tuke u tallur me komunitetin ndërkombëtar duke zhbërë marrëveshjet përmes hapave të njëanshëm në terren dhe duke brutalizuar me serbët në Kosovë në cilëndo mundësi që ka”, ka vazhduar ai.
Reagimi i Vuçiqit, “krenar” me serbët që s’votuan
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u shpreh “krenar” me mospjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore për çka tha se deri më tash “vetëm disa” serbë kanë dalur në votime dhe se “kjo tregon që serbët nuk do t’u shërbejnë interesave të njerzëve tjerë”.
Ai vazhdoi të përdor gjuhë të papranueshme, të ngjashme me narrativën ruse për nazizma të supozuar. “Sot, zgjedhjet po mbahen për okupimin e Gauleiter-it në Veri të Kosovës ku për qëllim kanë të themelojnë një qeverisje me dy përqind”, ka thënë ai, siç e cituan mediat serbe.
“Me krenari e them se deri më tash vetëm disa serbë kanë dalur në votime në katër komunat bashkërisht. Serbët nuk do t’u shërbejnë interesave të tjerëve. Ata duan paqe me të gjithë, të respektojnë të gjithë, por mbi të gjitha të luftojnë për interesat e popullit të tyre”, ka thënë ai gjatë një përkujtimi të viktimave serbe të Luftës së Dytë Botërore në Jasenovac.
Ndërkaq për zgjedhjet në veri ka reaguar edhe kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, duke i vlerësuar për as “të lira” e as “të ndershme” duke vënë theksin te prania policore. “Zgjedhje – të lira dhe të ndershme, me forca të armatosura dhe me mjete të blinduara! Kjo është Evropa në shekullin 21”, shkroi Bërnabiq në Twitter. “Kjo tashmë bëhet normë e re demokratike, e prezantuar dhe e mbështetur nga krijuesit e Republikës së Kosovë”, shtoi ajo.
Zgjedhjet u bojkotuan nga serbët e Kosovës
Aleksandar Jabllanoviq, Kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, tha sot për Nacionalen se në këso rrethanash përveç mospjesëmarrjes në zgjedhje as nuk do të votojë. “Jo, nuk do të votoj, dhe as votuesit e mi”, na tha ai. Jabllanoviq thirret në arsyet objektive të situatës për këto zgjedhje për të shpjeguar mospjesëmarrjen e tij. “Vendvotimet të ngjajnë me stacione të policisë”, thekson ai, duke shtuar se “zgjedhjet e rregullta nuk mund të mbahen kësisoji me kontenjerë buzë rrugës dhe jashtë”.
Mes tjerash, ai vëren se prania e madhe e policisë kosovare bën që këto zgjedhje “të mos jenë normale”. Andaj, thotë ai, “kjo është edhe arsyeja pse unë dhe partia ime vendosëm të mos marrin pjesë në këto zgjedhje nën këto rrethana”.
Aleksandër Arsenijeviq, ish-kandidat për kryetar komne në zgjedhjet e parakohshme të dhjetorit që ishin shtyrë, i tha Nacionales se pjesëmarrja e serbëve në votime do të ishte “zero përqind”.
Tashmë vetëm një kandidate serbe garon për të parën e komunës së Zveçanit, Sllaxhana Pantoviq, ndërsa Jabllanoviq u tërhoq vetëm tri ditë para zgjedhjeve duke cituar kushtet objektive për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, sipas tyre, të mangëta – qendrat alternative të votimin (i.e kontenjerët lëvizës) si dhe praninë e madhe të policisë kosovare.
Pjesëmarrja deri më tash (që nga ora 7) s’ka si të jetë më minimale ku ka qendra të vendvotimin ku s’është hedhur as edhe një votë e vetme. Lista Serbe – e cila ka elektoratin më të madh në këto zona – ka bërë thirrje për bojktot të përgjithshëm të këtyre zgjedhjeve duke i quajtur “jolegjitime dhe jodemokratike”. Madje, duke u rënë toneve kërcënuese, kanë thënë se secili serb që merr pjesë në këto zgjedhje “do të shihet me përbuzje”.
Edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka dalë në përkrahje bojkotit të serbëve me ç’rast ka ashpërsuar edhe gjuhën ndaj shteteve të QUINT-it, duke thënë se këtë të diele “shënohet zyrtarisht turpi i tyre” ndërsa këto zgjedhje i ka quajtur edhe si “ditë e tmerrshme prë demokracinë”.
Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë lënë të kuptojnë se pavarësisht bojkotit të përgjithshëm të Listës Serbe, përnga pikëpamja amerikane rezultati i zgjedhjeve do të jetë legjitim.
