KFOR-i “në bisedime” me Policinë dhe serbët

Në Zveçan, përfaqësuesi i KFOR-it bisedon fillimisht me njërën palë, e pastaj me tjetrën.

Oficeri i panjohur i KFOR-it ka folur sot në mëngjes me serbët para komunës, kur kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq ka përsëritur kërkesat e tij të njohura, kryesore prej të cilave është që njësitet speciale të Policisë së Kosovës të largohen menjëherë nga ndërtesat e komunave në veri, si dhe nga gjithë veriu.

Përfaqësuesi i KFOR-it më pas shkoi në ndërtesën e komunës për të biseduar me Policinë, për t’u kthyer më vonë. Kjo “shuttle” diplomaci zgjat nga ora 8, raporton portali serb Kossev.

Rakiq në një moment ka kërkuar nga qytetarët që të lirojnë hapësirën për daljen e dy autoblindave të Policisë së Kosovës nga rrethi i ndërtesës së komunës, gjë që qytetarët kanë refuzuar duke brohoritur “Tradhti!”.

Edhe pse Rakiq i bindi se ky do të ishte hapi i parë, turma kërkoi që të largohen të gjitha automjetet. I pari në Zveçan iu drejtua masës ish-kryetari i komunës Dragisha Milloviq, i cili ka thënë se qytetarët në mënyrë paqësore kërkojnë largimin e policisë.

Pas fjalës së tij, “komisionari serb për Mbrojtjen e Kosovës dhe Metohisë”, Nebojsha Joviq, i nervozuar dhe me zë të lartë iu drejtua Milloviqit, duke thënë se duhet t’i vijë turp dhe se njësitë speciale nuk do të kishin mundur të hyjnë në objektet komunale sikur Lista Serbe nuk do t’i dërgonte qytetarët në tubimin e Vuçiqit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *