Lista Serbe: Bashkësia ndërkombëtare të pengojë zbatimin e vendimit për hapjen e urës në Ibër

Lista Serbe njoftoi se dënon ashpër vendimin, siç e cilësoi, të paligjshëm dhe jolegjitim të marrë nga , sipas kësaj partie, shumica e paligjshme dhe jolegjitime parlamentare në Mitrovicën e Veriut, për hapjen e urës kryesore të qytetit për qarkullim motorik, raporton kosovo-online.

Siç vlerësuan nga ky subjekt politik, vendimi shkel marrëveshjet e Brukselit dhe kërcënon drejtpërdrejt paqen.

“Duam të paralajmërojmë se hapja eventuale e urës padyshim që do të rezultojë me incidente në këtë zonë, gjë që duket se është qëllimi i Prishtinës. Ura ku ndodhën më shumë se njëmijë sulme me motive etnike nga jugu në veri është një simbol i vuajtjes së popullit serb dhe synimi i Prishtinës për të dëbuar serbët e mbetur nga i vetmi mjedis urban në të cilin ata mbijetuan në numër më të madh. Ky vendim i paligjshëm dhe jolegjitim i marrë nga kuazi-këshilltarët pa asnjë legjitimitet në mesin e qytetarëve, do të ketë pasoja të mëdha për paqen, sigurinë dhe bashkëjetesën në këto zona. Njëkohësisht, është vazhdimësi e pushtimit të veriut nga Albin Kurti, i cili u mësua me rolin e pushtimit Gauleiter”, thuhet në deklaratë.

Lista Serbe tha se kërkon nga KFOR-i, EULEX-i dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare që ta pengojnë sa më shpejt zbatimin e këtij vendimi, t’i japin hapësirë ​​për zgjidhjen e çështjeve të hapura në dialog dhe në këtë mënyrë të ruajnë dhe paqen.

“Parandalimi i lëvizjeve të tilla nga Prishtina dhe këshilltarët e Kurtit do të ishte në përputhje me kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për të ndalur të gjitha veprimet që cenojnë procesin e dialogut”, përfundon deklarata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *