Një rast i rëndë ka ndodhur në shtetin fqinj të Kosovës, në Maqedoninë e Veriut, ku policia maqedonase ka qëlluar për vdekje një emigrante 23-vjeçare, në kufirin me Greqinë, gjatë një përleshje me emigrantët ilegalë. E reja afrikane 23-vjeçare, që u vra brutalisht, ishte shtatzënë. Në lidhje me këtë ngjarje, nuk kishte aq shumë reagime nga politikanët e zyrtarët institucionalë, sikurse nuk kishte edhe ndonjë rrëfim më të plotë se si ndodhi ngjarja.
Organizata “Second Tree” e cila punon në kampet e refugjatëve në pjesën veriore të Greqisë në në Facebook shkruan se Fatmatja u vra pasi kaloi kufirin grek, vendi që ia refuzoi asaj azilin.
“Second Tree”, tregon se Fatmatja ishte me bashkëshortin e saj dhe se në prezencën e saj ajo ishte vrarë. Gjithashtu, se me pas ai ishte arrestuar nga policia vendase.
“Fatma ka vdekur. Ajo është qëlluar nga policia, në Maqedoninë e Veriut, të mërkurën. Sapo kishte kaluar kufirin nga Greqia, vendi që ia mohoi azilin, duke e bërë atë të padukshme, si një njëri që nuk ekzistonte. Por ajo ekzistonte. Ajo ishte e ngrohtë, entuziaste dhe e hareshme. Nëse nuk do ta dinit, as që do mund ta imagjinonit se ajo jetonte në një kamp refugjatësh. Ajo ishte 23 vjeçe. Ajo ishte plot jetë”, shkruan Organizata “Second Tree” në Facebook.
Deri sa udhëheqësit e shtetit, partitë politike dhe politikanët e kanë injoruar rastin tragjik, një numër i madh aktivistësh dhe gazetarësh kanë kërkuar drejtësi për emigranten 23-vjeçare.
“Heshtja shurdhuese”
Aktivisti i Aleancës për Shqiptarët, Arben Fetai, ka kërkuar drejtësi për 23-vjeçaren.
Me anë të një postimi në Facebook, Fetai ka dënuar heshtjen e politkanëve dhe shoqërisë civile për rastin e vrasjës së emigrantës nga shteti.
“Gati një javë ka kaluar, dhe asnjë zë nga politika dhe thuasje asnjë nga shoqëria civile nuk ka folur qoftë edhe një fjalë për Fatmatan.
Është e pafalshme që një popull që ende dergjet rrugëve të Evropës dhe ende kalon kufijë në mauna të kamionave rrin kaq indiferent karshi marrjes së një jete nga shteti. Të gjithë duhet të kërkojmë drejtësi për Fatmatan”, ka shkruar Fetai.
