Partitë opozitare dhe partia në pushtet janë përplasur në Kuvendin e Kosovës, në lidhje me themelimin e Komisionit hetimor Parlamentar për rezervat shtetërore.
ipas partive opozitare, nevoja për themelimin e këtij Komisioni është e domosdoshme pasi ka dyshime të bazuara për abuzime me rezervat shtetërore, ndërkaq në LVV theksuan se kjo është ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, pasi prokuroria veçse është duke hetuar këtë rast.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili është edhe iniciues për themelimin e këtij komisioni, tha se duhet të zbardhen të gjitha dyshimet për keqpërdorime në rezerva shtetërore.
“Duke pasur parasysh indicet përtej dyshimit të bazuar për abuzime të mundshme të ndërlidhura me procesin e furnizimit me rezervat shtetërore e konsiderojmë të nevojshme që të bëhet hetim i thelluar parlamentar. Me qëllim të ushtrimit të mandatit tonë kushtetues parlamentar theksojmë nevojën e madhe të zhvillimit të këtij hetimi, veçanërisht kur është parasysh fakti që rezerva shtetërore është e nivelit të prioritetit të sigurisë nacionale”,
Mirëpo, themelimin e këtij komisioni e vlerësoi të ngutshëm shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.
Sipas saj, deputetët opozitarë po dëshirojnë të bëhet hetues duke synuar të bëjnë paralelizma me prokurorinë.
Madje ajo ngriti dyshime se edhe propozimi për kryesues të këtij komisioni është në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit. Ndërkaq, shtoi se shpenzimet e komisionit shkojnë mbi 20 mijë euro si mëditje të deputetëve, e cila sipas saj shkojnë dyfish më shumë sesa vlera e grurit që mungon.
“Ky hetim parlamentar synon të bëjë paralelizëm për diçka që organet e rendit tashmë veçse janë të përfshira. Pyetja për deputetët nënshkrues është shumë e thjeshtë: nuk po i besoni Prokurorisë? Apo po e konsideroni vetëm hetues më të aftë sesa prokuroria dhe policia e vendit? Zakonisht deri tash fryma e hetimit parlamentar ka qenë që në Kuvend do të duhej të hetohej një çështje për të tërhequr vëmendjen e prokurorisë, ndërkaq, aktualisht prokuroria e ka këtë rast. Gjithashtu shpenzimet që ndërlidhen me mbarëvajtjen e Komisionit hetimor Parlamentar që kemi pasur deri tani dhe që kanë zgjatur deri në periudhën e njëjtë kohore shpenzimet shkojnë deri 20 mijë euro. Aty përfshihen mëditjet e deputetëve, angazhimi i ekspertëve, koha nëse ka nevojë edhe për fluturimin që duhet të intervistohen nga vendet të tjera. Pra, kjo vlerë është gati dyfish më e madhe sesa krejt vlera e grurit që po e kontestoni”, theksoi Kusari-Lila.
