Pak ditë para takimit Kurti-Vuçiq, kërkohet me ngulm zbatimi i marrëveshjes së Ohrit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq më 2 maj do të takohen në Bruksel.

Ata nuk janë takuar që nga 18 marsi, ku në Ohër, pas më se 10 orësh bisedime, arritën marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian. Në Ohër, palët u pajtuan për aneksin e zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Pak ditë para takimit, përfaqësues ndërkombëtar po kërkojnë që kjo marrëveshje të zbatohet sa më shpejt.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë sot se pret implementimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit. Hovenier, në një prononcim të shkurtë para mediave të hënën, tha se dje kanë dhënë qëndrimin për zgjedhjet në katër komunat veriore.

Aty theksohet se qëndrimi i ShBA-së për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan ishin në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. “Dje e kemi dhënë një qëndrim, aty theksohet nevoja për implementimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit dhe këtë e presim”, tha ai.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot tha se marrëveshja e Ohrit do të zbatohet pa vonesa. “Gjithmonë jam gati për takimet e nivelit të lartë që organizohen me lehtësimin e BE-së. Takimi i radhës do të mbahet në Bruksel si zakonisht me ç’rast duhet të diskutohet sesi edhe marrëveshja e Brukselit edhe aneksi i zbatimit nga Ohri do të zbatohen pa vonesa ne plotni”, tha Kurti.

Edhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se në takimin e paralajmëruar për 2 maj, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të jetë pjesë e agjendës draftstatuti i parë i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai ka treguar se do të miratohet edhe deklarata për Personat e Zhdukur që ishte arritur si marrëveshje në nivel kryenegociatorësh.

”Me takimin e radhës të dialogut të nivelit të lartë që do të mbahet më 2 maj, kjo është një kohë e përgatitjeve intensive. Si takimi i parë i nivelit të lartë pas Ohrit, do të jetë një takim i rëndësishëm për zbatimin e Marrëveshjes dhe Aneksit të saj. Agjenda do të përfshijë miratimin zyrtar të Deklaratës për Personat e Zhdukur, prezantimin e draft Statutit të parë të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë nga ekipi menaxhues dhe çështjet aktuale. Prandaj ne presim që të dyja palët të vijnë në Bruksel të përgatitura mirë dhe plotësisht të përkushtuara në fazën e zbatimit”, ka shkruar Lajçak në Facebook, të dielën.

Lajçak po ashtu ka treguar për takimet e tij të realizuara që lidhen me çështjen e dialogut Kosovë – Serbi.

”Në fillim të kësaj jave në Bruksel, u takova me komandantin e KFOR-it të NATO-s, gjeneralmajor Ristuccia për të përditësuar njëri-tjetrin në fushat tona përkatëse të përgjegjësisë. Unë e vlerësoj bashkëpunimin tonë të ngushtë dhe njohuritë e tij të vlefshme për situatën e sigurisë në Kosovë, në veçanti në veri të Kosovës. Kam pasur një takim edhe me kryetarin e Seksionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Komitetit Evropian Ekonomik dhe Social Dimitriadis. Unë jam mirënjohës për interesimin dhe mbështetjen e tij në Dialog dhe vlerësoj përpjekjet praktike të KESE-së në nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për avancimin e qëllimeve tona të përbashkëta në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *