PDK ia mori asambleisten, reagon VV: Është kërcënuar dhe shantazhuar

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dega në Prishtinë, ka njoftuar të mërkurën se asambleistja  e Lëvizjes Vetëvendosje, Berna Saraçi, ka kaluar në grupin e PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Për këtë, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje, dega në Prishtina e cila në nivel lokal është opozitë.

Në kumtesë, pretendohet se asambleistja Berna Saraçi, ka marrë kërcënime dhe shantazhe nga partitë e pushtetit në nivel lokal.

Sipas VV-së, vetë ajo i ka paraqitur këto kërcënime në mbledhjen e fundit të kryesisë së Qendrës.

“Në mbledhjen e fundit të kryesisë së Qendrës me grupin e asamblesitëve, ish asambleistja Berna Saraçi na ka paraqitur shqetësimet e saj në raport me kërcënimet dhe shantazhet që po i bëhen asaj dhe familjes së saj nga eksponentë të partive të pushtetit lokal. Të njëjtët e paraqitën sot aderimin e saj në këtë subjekt si sukses”, thuhet ndër tjerash në reagim.

VV-ja thotë se është e shqetësuar për ish-kolegen, duke aluduar se kanë marrë kërcënime.

“Jemi të shqetësuar për Bernën si ish kolege e jona por edhe si qytetare e këtij qyteti.  Gratë në politikë kanë nevojë për mbështetje por mbi të gjitha për vendosmëri që t’i bëjnë ballë çfarëdo shantazhi të ndërlidhur për veprimtarinë e tyre politike. Po ashtu në dijeninë tonë ky është një rast i qartë i kërcënimit andaj ju bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë të fillojnë hetimet mbi rastin”, ka deklaruar ajo.