Ambasadori turk në Kosovë: Erdogani i gatshëm të ndërmjetësojë në shtensjonim, nëse palët e kërkojnë

Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili ka thënë se vendi i tij ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të gjejnë mënyra për të shtensionuar situatën në veri të vendit përmes dialogut.

Në një intervistë për “Zërin” Angili ka thënë se presidenti turk Recep Taip Erdogan, është shprehur i gatshëm që të ndërmjetësojë nëse Kosova dhe Serbia kërkojnë një gjë të till.

Sipas tij, gatishmërinë e tij Erdogani ja ka përcëlluar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me të cilët ka bashkëbiseduar në telefon menjëherë pas rizgjedhjes së tij si president.

“Turqia që nga fillimi ka kërkuar që shtensjonimi i situatës të realizohet përmes dialogut dhe pas përfundimit të procesit zgjedhor në Turqi, Erdogani ka pasur telefonata me Kurtin dhe Vuçiqin dhe të dyve ja ka shprehur gatishmërinë që nëse ata të dy kërkojnë ndërmjetësim në dialog, Turqia është e gatshme të ofrojmë mbështetje”, ka thënë Angli për “Zeri.info”.

Ai ka thënë se Turqia tani është prezentë edhe në veri me kontingjentin ushtarak të sapo dërguar në kuadër të KFOR-it.

Ai tha se tani përmes KFOR-it, Turqia është prezentë në veri dhe është drejtpërdrejt e informuar se çfarë po ndodh atje.

“Ne si gjithmonë kërkojmë që shtensjonimi të arrihet përmes dialogut dhe mos të shndërrohet në një konflikt”, tha ambasadori.

I pyetur nëse ditëve të fundit ka pasur tentime konkrete nga presidenti Erdogan për të ndërmjetësuar në shtensjonim, ai tha se një gjë e tillë nuk ka ndodhur, pasi telefonata e fundit ishte një ditë pas 29 majit kur ndodhi sulmi ndaj KFOR-it.

“Nuk ka pasur një telefonatë jashtë urimit, por telefonata e Erdoganit me Vuçiqin ka ndodhur vetëm atë ditë kur ka zhvilluar telefonat edhe me Kurtin, diku pas 30 majit pas sulmit ndaj KFOR-it, pra menjëherë pas rizgjedhjes së Erdoganit si president i vendit, jashtë kësaj nuk ka pasur diçka të re, pasi për diçka të tillë të dyja palët duhet të kërkojnë një gjë të tillë”, tha ai, duke shtuar se Turqia mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Në lidhje me bashkëpunimin ekonomik, Angili tha se nëse zbatohet marrëveshjet ekonomike mes Kosovës dhe Turqisë, shifrat e tregtisë dhe turizmit mund të rriten tutje.

“Ne kemi nevojë të thellojmë bashkëpunimin ekonomik duke u bazuar në marrëveshjet ekzistuese mes Kosovës dhe Turqisë. Unë konsideroj se nëse orientohemi në zbatimin e marrëveshjeve mund të ngrisim shifray të tregtisë dhe investimeve në 1 miliardë euro, por edhe të vizitorëve në 100 mijë”, tha ambasadori Angili. /Zëri