Pak më parë u raportua në lidhje me arrestimin dhe ndalimin e punonjësit të Policisë Kufitare, Pashuk Pepaj, i cili dyshohet se është përfshirë në një incident që ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Ganimete Tërbeshi” në Gjakovë. Pepaj bashkë me djalin e tij ka sulmuar fizikisht dy persona dhe për pasojë tashmë edhe është suspenduar.
Nga Prokurorisë kanë bërë me dije ekskluzivisht për Sinjalin se bëhet fjalë për Pepaj është pjesë e stafit civil në drejtorinë e Policisë Kufitare dhe asistent i drejtorit Nexhmi Krasniqi.
Ky i fundit e ka konfirmuar rastin për Sinjalin, teksa nuk ka dhënë më shumë detaje për incidentin që ka ndodhur. Krasniqi ka bërë të ditur se me rekomandim të IPK-së, Pepaj është suspenduar për 48 orë.
“Po, është arrestuar mbrëmë. Nuk kom shumë informacione. Pepaj është suspenduar nga ne, me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës. Pepaj është që shumë vite këtu, ka qenë me mu këtu”, tha Krasniqi.
Ndryshe, Pepaj është ndaluar nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Sipas informacioneve që posedon Sinjali, Pepaj bashkë me djalin e tij, Shelbim Pepajn, dyshohen se kanë sulmuar fizikisht dy persona, po ashtu babë e bir, pas një mosmarrëveshje që kanë pasur me njëri-tjetrin dhe esklaoi në dhunë.
Për pasojë, Pepaj dhe djali i tij kanë përfunduar në prangat e Policisë, ndërsa dy viktimat janë dërguar në spital për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, si pasojë e lëndime që kanë pësuar.
Për shkak të dyshimeve të ngritura dhe dëshmive që janë mbledhur dhe provojnë përfshirjen e Pepajt në këtë rast, Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për ndalimin e Pashuk dhe Shelbim Pepajt.
