Raportimet për helmimin e katër nxënësve në Istog, AUV: Bëhet fjalë për infeksion viral sezonal

Gjatë mëngjesit të sotëm u raportua për helmimin e katër nxënësve të klasës parashkollore në shkollën fillore të mesme të ulët ‘Martin Camaj’ në Gurrakoc të Istogut, ku si pasojë të miturit u dërguan me urgjencë për në Spitalin Rajonal të Pejës.

Sinjali ka kontaktuar me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, të cilët kanë bërë me dije se inspektorët kanë kryer inspektimin e objektit të shkollës dhe nuk kanë gjetur ndonjë parregullsi në aspektin e higjienës.

Po ashtu të njëjtit kanë pohuar se nuk ka kuzhinë në kuadër të shkollës, ku nxënësit mund  të ushqehen dhe sipas konstatimit preliminar, nuk bëhet fjalë për dyshim helmimi, por për një infeksion viral sezonal.

Ekipi inspektues nuk ka gjetur ndonjë parregullsi në aspektin e higjienës. Në kuadër të shkollës nuk ka  kuzhinë, ku mund të ushqeheshin nxënësit. Po ashtu inspektorët kanë vizituar edhe Spitalin Rajonal në Pejë, ku kanë marrë trajtim mjekësor fëmijët. Sipas konstatimit preliminar, përkeqësimi i shëndetit të fëmijëve nuk ka të bëjë me dyshim helmimi por ka të bëjë me infeksion viral sezonal”, thuhet në përgjigjen e AUV-it për Sinjalin.