Reagon këshilltari i kryeministrit Kurti: Gjuha e Faton Klinakut nuk përfaqëson luftëtarin e UÇK-së, as veteranin e luftës

Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, për çështjen e kategorive të dala nga lufta, Aziz Bici, ka reaguar pasi ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK, Faton Klinaku, ka kërcënuar me jetë Kurtin.

Bici, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se po bëhet hera e dytë që brenda rreth një muaji Kryeministri i Republikës së Kosovës po kërcënohet publikisht, dhe në të dy rastet ato kërcënime vijnë nga njerëz që po flasin në emër të veteranëve të luftës dhe që përfaqësojnë ata.

“Në fund të muajit korrik, ish-deputeti i AAK-së dhe ish-luftëtari i UÇK-së, Shkumbin Demaliaj, i cili duke folur për veteranët dhe kërkesat e tyre ndaj qeverisë, kërcënonte institucionet dhe kryeministrin ndër të tjerash kishte thënë se ‘kur vijnë ata, nuk vijnë për me i tha puna e mbarë’. Ndërkaq dje, u.d. i Kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku fillimisht tha se ‘më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova’, e më pas, në vend që të reflektojë, e përsëritë kërcënimin e njëjtë”, ka shkruar Bici.

Bici, që gjatë luftës ishte komandant batalioni i UÇK-së, thotë se “kjo gjuhë është e papranueshme për këdo. Veçanërisht e papërgjegjshme, e padinjitetshme, dhe jokombëtare, për dikë që flet ose përfaqëson veteranët e luftës. Kryeministri i Republikës është kryeministër i të gjithëve. Është i Republikës për të cilën kemi luftuar”.