Rritet numri i shitjeve ilegale të cigareve elektronike, kërkohet ndërhyrja e shtetit

Cigaret elektronike tash e sa kohë po tymosen edhe në Kosovë.

Ato gjenden lehtësisht në treg dhe shiten në mënyrë ilegale, ndërsa Ministria e Shëndetësisë konfirmon se trendi i përdorimit të tyre është në rritje. Anëtari i Komisionit për Shëndetësi, deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, thotë se nga këto cigare dëmtohet shëndeti i qytetarëve derisa kërkon që shitja e tyre të rregullohet me ligj sepse “shteti humb buxhet”.

Ky lloj i cigareve shitet në dyqane të vogla ilegalisht. Inspektorati i Tregut tashmë ka konfiskuar një sasi të tyre.

Ministria e Shëndetësisë tha se 32 shtete kanë ndaluar shitjen e cigareve elektronike, ndërsa shumë të tjera kanë bërë ndryshime në ligjet e tyre kundër duhanit.

“Aktualisht, ne adresimin e çështjes së cigarave elektronike shtetet deri tash kanë adaptuar dy qasje: Ndalimin e shitjes se tyre apo rregullimin e tyre me ligj. Janë së paku 32 shtete të botës që e kanë ndaluar shitjen e tyre, derisa 79 shtete të tjera kanë bërë ndryshime në ligjet e tyre kundër duhanit për shkak të këtyre produkteve të duhanit. Shtete të tjera janë në kerkim të adaptimit të zgjidhjeve më të përshtatshme për adresimin e kësaj çështje”, tha MSh.

“Cigaret nuk guxohet të tregtohen ilegalisht, shteti humb”

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, tha se kanë formuar një komision dhe do të dalin me të dhëna se si po tregtohen ilegalisht cigaret elektronike.

“Ne si komision parlamentar për shëndetësi ka afërsisht dy muaj që kemi formuar komisionin për monitorimin e ligjit për duhanin, po i presim raportet në fund. Pasi ne kemi formuar këtë komisionin për mbikëqyrjen e ligjit për zbatimin e ligjit për duhanit ka filluar kjo fushata e ministrit Peci, në fund do të dalim me të dhëna statistikore të sakta sa është zbatuar cilat kanë qenë vendimet ndër vite, si po tregtohen cigaret elektronike ilegalisht, si po shiten ilegalisht dhe pastaj do të dalim me konkluzionë si komision, po e presim raportin e grupit punës për këtë projektligj për monitorimin e zbatimit të projektligjit për duhanin dhe pastaj dalim me rekomandime”, tha Haxhiu për Gazetën Express.

Ai tha se nga tregtimi ilegal i cigareve shteti është në humbje të buxhetit dhe kjo gjë duhet të rregullohet me ligj.

“Duhet të rregullohet me ligj, është çështje që nuk guxon të tregtohen ilegalisht edhe shteti humb nga buxheti. Mirëpo edhe nuk ka siguri për kontrollin e tyre sa i përket aspektit të dëmtimit të shëndetit duhet të rregullohet me lighj, jemi vonë mirëpo tani po e presim edhe raportin zyrtar sepse besoj që pas raportit zyrtar të komisionit, kemi kohën e duhur me shqyrtu edhe Qeveria dhe Kuvendi”, tha Haxhiu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *