Drejtoresha e Kulturës në Istog, Elianë Blakaj, është shkarkuar sot nga pozita e Drejtoreshës për Kulturë, Rini dhe Sport, të cilën ajo e ushtronte.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë ajo, përmes një postimi në rrjetin social- Facebook.
Ajo tha se arsyet e shkarkimit janë absurde, gjersa shton se ky shkarkim ndodhi në mënyrë tinzare dhe tradhtare nga ana e nënkryetarit të komunës së Istogut, Ali Nimanaj. Sipas Blakaj, ai kishte për qëllim që ta ushtronte tashmë ish pozitën e saj si drejtoreshë e Kulturës si dhe për të fshehur paaftësitë e tij në lidhje me kryerjen e detyrave.
“Arsyet e shkarkimit janë absurde dhe i takojnë stilit të një injoranti “Mos bindja ndaj urdhërave të shefit”. Shkarkimi ndodhi në mënyrë tinzare dhe tradhëtare. Nuk ndodhi për shkak të mos kryejes së detyrave të punës, por ndodhi për shkak se nënkryetari kishte dëshirë të ushtronte detyrën e Drejtorit të Drejtorisë të cilën e menaxhoja dhe ky fakt tregon paaftësinë e tij për kryerjen e detyrave të cilat është i ngarkuar brenda Komunës. Ky shkarkim ndodhi, për ta fshehur paaftësinë e tij si partner i koalicionit për ta menaxhuar atë”, tha ajo.
Ajo shton se në pozitën të cilën e ushtronte, ka ardhur si femra më e votuar nga rradhët e PDK-së në Istog. Derisa shton se zyra e kryetarit shërbente për kafe dhe jo punë, ndërkaq shprehet se shkarkimit të saj, do t’i gëzohen shumë persona.
“Unë kam ardhur në këtë pozitë nga besimi qytetarë, duke qenë femra më e votuar nga rradhët e PDK-së, në Istog, pa kalkulime dhe referenca të Kryetarit të degës. Puna ime për dikë ka qenë frikë, ndoshta pse janë mësuar të mbajnë afër vetës servil dhe duke mos punuar asgjë e duke shfrytëzuar zyren vetëm për të pirë kafe… Pres njerëz që do të kënaqen me shkarkimin tim, ngase jo cdo kujt i pëlqen korrektësia”, tha tutje ajo.
