Mosmarrëveshjet mes qytetarëve shpeshherë përcillen me ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit. Madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë në dhunë, duke u përleshur fizikisht mes vete, incidente këto që eskalojnë edhe në përleshje brutale.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në Leposaviq, ku një person ka përfunduar në spital me lëndime trupore, për shkak se dyshohet që ishte cak i një sulmi fizik.
Viktima ka marrë ndihmë mjekësore, pasi ishte rrahur derisa ishte në një kafeteri.
Bazuar në dëshminë e tij, derisa po qëndronte në një lokal, një person i panjohur për të e ka sulmuar fizikisht, duke e grushtuar.
Posa rasti është denoncuar edhe në Polici, ku një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes, për të mbledhur më shumë informacione për incidentin që ka ndodhur.
Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në kapjen e të dyshuarit, teksa me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Lëndim i lehtë trupor’.
