Tahiri pyet Kurtin: Cili dokument është drafti i vërtetë?

Besnik Tahiri i AAK-së akuzoi kryeministrin Albin Kurti se i ka dhënë shkas miqve tanë ndërkombëtarë që fillimisht të shprehin mosbesim ndaj tij si përfaqësues i popullit të Kosovës dhe më pas edhe i Qeverisë së Kosovës.

Gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës, Tahiri vlerësoi se Kosovës nuk i duhet që të mësojë për dialogun nga Serbia e Vuçiqi.

“Përderisa me shumë gjasë Serbia i ndan e i trajton informatat nga dialogu edhe me Rusinë e Kinën, kryeministri ynë nuk i ndan informacionet as me ne dhe as me Shqipërinë amë”.

“Cili dokument është drafti i vërtetë”, e pyeti Tahiri Kurtin, duke iu referuar dokumenteve që janë publikuar në media.

“Serbia ka interesin për status quo, ajo s’ka interes që të arrihet një marrëveshje që e shtyn Kosovën përpara. Kurti me eksperimente e ekzibicione të tij ka arritur të krijojë klimë që ndaj Kosovës të vendosen masa e sanksione. Duhet me qenë tepër joprofesional, e besa e pa eksperiencë, që shtetet evropiane të kenë konsensus të plotë për ta goditur Kosovën në raport me Serbinë me masa e sanksione”, deklaroi Tahiri.