Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e ndërpreu për 5 minuta seancën plenare pas një debati të ashpër me deputetët e Partisë Demokratike. Shkak u bë ndërprerja e fjalës së kryetarit të PD-së, Sali Berisha, çka solli reagimin e deputetëve opozitarë, të cilët u mblodhën te foltorja.
Gjatë fjalës së tij, Berisha kërkoi praninë e kryeministrit Edi Rama në Kuvend, duke e akuzuar se po shkonte në paraburgimin e Durrësit për të takuar Erion Veliajn.
“Kërkoj rikthimin urgjent në parlament të padrinos, i cili po shkon në Durrës për t’i dërguar Troplinin në qeli Erion Velisë. T’ja mbyllë gojën,” tha Berisha.
Në përgjigje, Spiropali e cilësoi fjalën e tij jashtë procedure: “Kjo nuk është për procedurë. Keni fjalën të regjistruar. Flisni për projektligjin. Po abuzoni me fjalën. 5 minuta pushim.”
Pas ndërprerjes, pritet që seanca të rifillojë me debatin mbi çështjet e rendit të ditës.
