Juli Majkaj është vajza që fshihej pas maskës duke pikturuar krijimin më të ri të koleksionit të fragrancave të Xerjoff.
Juli, duke përfunduar studimet për Financë dhe Menaxhim, me një eksperiencë mbi 10-vjeçare në Menaxhim Spitalor, nuk e anashkaloi kurrë pasionin për pikturën.
Ajo që e bën këtë artiste të veçantë është fakti se nuk ka ndjekur asnjëherë shkollë, kurs ose trajnim në fushën e artit/pikturës, dhe formimi profesional e rrugëtimi i karrierës janë krejtësisht të ndryshme nga çdo aspirant për të qenë artist. Gjithçka që realizon në punimet e saj artistike është fryt i pasionit, imagjinatës dhe syrit estetik, një dhunti e lindur.
Që në fëmijëri, talenti dhe dëshira e saj për të qenë pjesë e botës së artit kanë filluar me pikturat me bojëra vaji, dritëhijet dhe peisazhet, kryesisht ato me det, nga të cilat ajo gjen frymëzimin më të madh. Si një vajzë e lindur dhe rritur në një qytet të bukur bregdetar si Vlora, Juli ka gjetur gjithmonë frymëzim nga peisazhet mahnitëse të bregdetit, duke bërë që pjesa më e madhe e punimeve të hershme të saj të kenë si temë detin.
Me kalimin e kohës, talenti i saj spikati në rrjetet sociale, ku arti i shkrirë në rezinë nën emrin ‘Juli Modern Art’ u bë viral. Duke iu përshtatur tendencave të fundit të modës dhe arredimit të ambienteve, punimet e saj moderne, kryesisht abstrakte, kanë gjetur një vend të rëndësishëm në shumëllojshmërinë e krijimeve të kësaj artisteje. Nisur nga kjo, Juli ka krijuar një linjë të saj të pikturave moderne me rezinë dhe materiale artistike që i shtojnë vlerë punimeve. Nga stilet minimaliste deri te ato me një qasje më të ngarkuar dhe punime me ar, Juli i sjell këto krijime me një shije të veçantë artistike më afër klientëve dhe kujtdo që është i interesuar të ketë një vepër të tillë në ambientin e shtëpisë apo biznesit, shkruan Drejt.info.

