Zelensky thotë se kundërofensiva ukrainase pritet të “fitojë ritmin”

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se kundërofensiva e vazhdueshme e ushtrisë ukrainase pritet të “fitojë ritmin” pas një fillimi të ngadaltë.

Duke folur në forumin e sigurisë në Aspen të premten, Zelensky justifikoi përparimin e ngadaltë duke thënë se filloi më vonë se sa pritej, si dhe mungesën e municioneve, shkruan CNN.

“Ne kishim plane për ta nisur atë në pranverë, por nuk e bëmë sepse sinqerisht, nuk kishim municione dhe armatime të mjaftueshme dhe brigada të trajnuara siç duhet, dua të them, të trajnuara siç duhet në këto armë,” tha Zelensky.

“Patjetër që ata patën pak më shumë kohë nga sa u duhej për shkak se ata ndërtuan të gjitha ato linja. Dhe me të vërtetë, ata kishin shumë mina në fushat tona për shkak të një ritmi më të ngadaltë të veprimeve tona kundërsulmuese, “shpjegoi Zelensky.

Presidenti ukrainas tha se pavarësisht vështirësive, bashkatdhetarët e tij po përparonin.

“Ne nuk donim të humbnim njerëzit tanë, personelin dhe ushtarakët tanë, nuk donim të humbnim pajisjet dhe për shkak të kësaj, ata ishin mjaft të kujdesshëm në veprimet sulmuese,” tha ai.

“Unë do të thosha se po i afrohemi një momenti kur veprimet përkatëse mund të marrin ritëm sepse tashmë po kalojmë nëpër disa lokacione të minave dhe po i çminojmë këto zona”.

Fjalët e Zelenskit erdhën pasi presidenti rus Vladimir Putin tha se Perëndimi është i zhgënjyer me rezultatet e kundërofensive ukrainase.