Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorisë, dëshmitari i mbrojtur ka thënë se kishte dëgjuar se personit të koduar me numrin 1 i ishin bërë pyetje me zë të lartë.
Dëshmitari: Personit me numrin 1 i janë bërë pyetje me zë të lartë.
“Ka pasur pyetje të parashtruara me zë më të lartë sesa që është normale që të parashtrohet një pyetje. Zëri ka qenë shumë I lartë, shumë detaje nuk kemi arrit me dëgju asnjëherë, me dëgju apo me kuptu nuk kam arrit. Fjala “pse” ka qenë shumë e shprehur”, ka thënë dëshmitari.
Derisa prokurorja Silvia D’Ascoli e ka pyetur atë se çfarë mendon se kishte ndodhur në atë dhomë, kjo pyetje është kundërshtuar nga avokati kryesor i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe.
Prokurorja D’Ascoli: Në bazë të atyre që dëgjuat, si menduat ju, çfarë po ndodhte aty në atë dhomë?
Avokati Kehoe: Këto janë spekulime, po kërkohet se çfarë mendonte kur në fakt mund të dëshmohet vetëm çfarë ka dëgjuar.
