Nuk është hera e parë që banorët e Komunës së Mitrovicës dhe asaj të Skenderajt, kanë probleme me furnizim me ujë të pijshëm, madje shpesh mbesin pa furnizim fare. Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica”, jo më larg se para 3 ditësh, njoftoi se për shkak të pëlcitjes së gypave të ujësjellësit, kanë mbetur pa ujë disa lagje. Lajmërim mbi problem të ngjashëm pati dhe sot.
Gjatë ditës së sotme, dy nga komunat kanë mbetur pa furnizim me ujë të pijshëm. Kjo si pasojë e një defekti teknik në Impiantin për Trajtimin e Ujit në Shipol.
Ndërkaq, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica”, ka njoftuar se ekipet e mirëmbajtjes janë angazhuar për të rregulluar problemin mbi këtë situatë.
“Ekipet e mirëmbajtjes janë duke punuar në sanimin e defektit dhe pritet që deri në orët e pasditës të rregullohet problemi dhe të rikthehet furnizimi me ujë të pijes”, kanë thënë tutje në njoftim.
