Ismaili: Ka prova të mjaftueshme që Berishaj të arrestohet

Kryeministri Albin Kurti, po tregon me veprimet e tij se nuk mund ta largojë ambasadorin e Kosovës në kroaci, Martin Berishaj dhe ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqin, ka thëne Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës.
Ai tha se çdo kush tjetër përveç Berishaj, do të ishte në banken e të akuzuarve, gjersa shton se ka prova të mjaftueshme që ai të shkarkohet e arrestohet.
“Ka gënjyer nën betim para komisionit hetimor të Kuvendit të Kosovës. Ka mbajtur fshehtë transaksionet e dyshimta bankare. Është paguar 4 milionë euro nga GEN-i i Serbisë edhe pse kompania e tij e kishte të regjistruar vetëm atë si punëtor. Çdokush tjetër përpos Martin Berishajt sot do të ishte në bankën e të akuzuareve. Vetëm njëra nga veprat e lartpërmendura janë bazë e mjaftueshme për shkarkim e arrestim. Por Martin Berishaj vazhdon të privilegjohet në pushtet. Hiç më larg se dje, ai u lartësua nga Kryeministri Kurti në pritjen solemne të Ministrit të Jashtëm Kroat, Gordan Grlić Radman”, shkruan Ismaili në Facebook.
Sipas tij, asnjë qeveritar, nuk ka guxim të shtrojë pyetjen se pse një njeri i korruptuar nga Serbia lartësohet vazhdimisht nga Kryeministri Kurti.
“Martini shihet përkrah flamurit të Kosovës si Ambasador fuqiplotë. Sfidon ligjet e Kosovës me pushtetin politik që ia dhuron Kryeministri Kurti dhe me paratë e pista ai duket se ka blerë heshtjen brenda Qeverisë dhe brenda Vetëvendosjes.
Asnjë qeveritar e asnjë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje nuk po e ka guximin të shtrojë pyetjen se pse një njeri i korruptuar nga Serbia lartësohet vazhdimisht nga Kryeministri Kurti?! Pse ky ofendim ndaj flamurit e shtetit? Pse ky moszbatim i ligjit?
Kryeministri Kurti duke mbrojtur dhe arsyetuar Martinin e Nagipin nuk është duke i pastruar ata, por po na tregon haptas që ai nuk mundet t’i largojë. E kjo është tregues i rëndësishëm për këtë Qeveri”, thotë tutje ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *