Podujevë: Burri kapet me gruan me të cilën është në prag divorci pasi ajo kërkoi t’i marrë fëmijët

 

Rastet e dhunës në familjet kosovare po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që çdo ditë e më shumë gratë janë ato që po përjetojnë dhunë fizike e psikike nga bashkëshortët e tyre. Ka shumë raste kur ato përjetojnë presion e kërcënime pasi vendosin të shkurorëzohen. Një rast i tillë është raportuar të dielën në Podujevë, ku një grua e ka denoncuar ish-bashkëshortin e saj.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se palët janë kapur mes vete si pasojë e një mosmarrëveshje lidhur me kujdesin e fëmijëve të tyre.

Sipas informacioneve të para, Sinjali mëson se i dyshuari është kapur me viktimën, e cila ka kërkuar që t’i marrë fëmijët, derisa të përfundojë procesi gjyqësor – pasi të njëjtit janë në prag divorci.

Posa rasti është denoncuar, Policia ka shoqëruar të dyshuarin në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë lidhur me denoncimin kundër tij.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për dhunë në familje.