200 mijë euro kursime në bankat komerciale si dhe 66 mijë euro banesë të poseduar, ishte shuma e pasurisë që Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
Sipas saj, banesa është e dhuruar nga prindërit e saj, e përgjatë vitit 2022, ajo kishte deklaruar tri vende të punës, ndërkaq përveç të hyrave nga paga e ministres 13,823.04 ajo merr edhe dy rroga të tjera nga dy kolegje private.
Ajo gjithashtu ka deklaruar edhe vlerën e kursimeve të saj në Trustin Pensional. Ajo deklaron se posedon kursime pensionale mbi 40 mijë euro në Trust. Ndërkaq, vetëm nga depozitat e saja të larta në banka prej mbi 200 mijë euro, ka përfituar interes në kursime 1,478 euro më 2022. Por, nuk mbeti keq as për mëditje. Për udhëtimet zyrtare jashtë vendit mori mbi 3 mijë euro.
Ndërsa, si pasuri të luajtshme ajo ka deklaruar në posedim një veturë në vlerë 16 mijë euro.
