Reagon gazetari Gjergj Prenga pas zgjedhjes së drejtorit të RTSH-së: Media në rrezik serioz

Ish deputeti i Partisë Socialiste Alfred Peza, është zgjedhur këtë të martë si Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, ku ky i fundit ka siguruar 9 vota nga anëtarët e Këshillit Drejtues, ku kandidonin dhe emra të tjerë si Enrik Mehmeti, Helidon Haliti dhe Laureta Roshi, të cilët nuk arritën votat për të qenë në krye të RTSH-s.

Por si duket, i pakënaqur me zgjedhjen e tij është gazetari Gjergj Prenga, i cili këtë e quan si akt të paprecendentë si dhe sipas tij media është në rrezik serioz, derisa shton se zgjedhja e tij ishte në kundërshtim të plotë me ligjin.

“Emërimi i Pezës në krye të Radio Televizionit Publik Shqiptar, është në kundërshtim të plotë me ligjin, dhe një akt i paprecedentë, ku vërtetohet qartazi se censura në media nga politika nuk ka të ndalur. Bazuar në Ligjin Nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, përkatësisht neni 104 për “Papajtueshmeritë dhe konflikti i interesave të Drejtorit të Pergjithshëm të RTSH-së”, në pikën e parë citohet shumë qartë se: Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së nuk lejohet: a) të jetë anëtar i partive dhe shoqatave politike, kandidat pér deputet apo të jete zgjedhur i tillë në 2 legjislaturat e kaluara, të ketë konkurruar për kryetar të njësive vendore në zgjedhjet e fundit të organizuara për to apo kanë ushtruar detyrën e kryetarit të bashkisë, anëtarit të Këshillit të Ministrave apo të prefektit gjatë 3 viteve të fundit, si dhe ata që janë anëtare të Këshillit të Ankesave, AKEP-it apo punonjës të këtij të fundit”, ka shkruar ai.

Tutje ai shton se Shqipëria ka nevojë për gazetarë të cilt nuk janë pjesë e politikës si dhe kërkon që të krijohet rrjet i gazetarëve, në të cilin do adresohet çdo problematikë lidhur me median.

“Tashmë është fakt i kryer që media në Shqipëri është në rrezik serioz, dhe unë si gazetar kundërshtoj këtë vendim të marrë nga anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH-së. Në Shqipëri tashmë është nevoja emergjente që të krijohet një rrjet i gazetarëve, i pa kapur nga politika, ku të adresojmë çdo rast problematike në lidhje me median, t’i japim fund ndërhyrjes së politikës”, shkruan tutje Prenga.