Shembet ura për këmbësorë në Finland, plagosen 27-të persona

27 të rinj, kryesisht fëmijë, u plagosën të enjten, në Finlandë, kur një urë e përkohshme u shemb pranë një kantieri ndërtimi, thanë zyrtarët finlandezë.

Aksidenti ndodhi rreth orës 9:20 të mëngjesit, sipas orës lokale në Espo, afër kryeqytetit Helsinki, kur dërrasat mbi urë nuk mbajtën dhe grupi ra pesë deri në gjashtë metra në trotuarin e një rruge të vogël anësore. Shumica e të plagosurve ishin nxënës të klasës së tetë, rreth 14 ose 15 vjeç, të cilët ishin në një udhëtim shkollor, thanë zyrtarët e qytetit. Në mesin e të lënduarve është edhe mësuesi i tyre. Njëzet e katër persona u transferuan në spitale të ndryshme në rajonin e Helsinkit.

“Askush nuk ka lëndime që rrezikojnë jetën”, njoftoi shërbimi spitalor HUS i Helsinkit, duke shtuar se shumica kishin gjymtyrë të thyera, ndërkaq shkaku i shembjes nuk është konfirmuar dhe është duke u hetuar, njoftuan autoritetet e qytetit Espo.

Kreu i departamentit të arsimit të qytetit në Helsinki, Sattu Jarvenkalas, tha për AFP-në se të lënduarit janë nxënës nga shkolla e mesme Kalasatama në kryeqytet.

“Ata ishin në një udhëtim të rregullt në Muzeun e artit Ema. Pastaj, ndodhi aksidenti” tha ajo.

Sipas saj, në shkollë u formua një ekip krize. Qyteti i Espo njoftoi se më 5 maj, në ndërtesë u kryen inspektime e fundit javore.

Kontraktuesi, Jarno Tuuri, kompania e të cilit ndërtoi urën, tha për të përditshmen Iltalehti se “asgjë e pazakontë nuk është vërejtur” gjatë kontrolleve javore.

“Sigurisht se situata është shumë e keqe. Tani po kontrollojmë të gjitha strukturat dhe po bëjmë përforcimet e nevojshme shtesë”, tha ai.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *